Francis Ford Coppola, regjisori italian fitues i çmimit “Oscar” shtrohet në spital

ROMË, 5 gusht /ATSH-ANSA/- Regjisori i njohur italian, fitues i çmimit “Oscar” Francis Ford Coppola, është shtruar sot në spitalin “Tor Vergata”, në Romë.
Coppola mori pjesë në Festivalin Magna Graecia në Kalabri në korrik për të prezantuar filmin e tij të fundit, “Megalopolis”.
Regjisori, 86 vjeç, kaloi një pjesë të verës në Itali, duke kërkuar vende për filmin e tij të ri, xhirimet e të cilit janë planifikuar të nisin këtë vjeshtë.
Në mesin e korrikut, Coppola u prit nga një turmë të rinjsh në Soverato – si i ftuar special në premierën e Festivalit të Filmit Magna Graecia.
“Të rinjtë më thonë se bota është një katastrofë, por unë përgjigjem se nuk ka problem që njeriu nuk mund ta zgjidhë”, tha ai.
“Ne duhet të ndërtojmë një të ardhme të re të shkëlqyer dhe ta bëjmë atë së bashku për të mirën e fëmijëve tanë. Dhe sonte po bëjmë një hap drejt së ardhmes”, tha Coppola.
Pasi fitoi një çmim “Oscar” dhe u bë një ikonë e Hollivudit, Coppola vendosi të merrej me një film të vetëfinancuar prej 120 milionë dollarësh, “Megalopolis”, një film ambicioz dhe i vlerësuar nga kritika – që do të shfaqet premierë në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 2025.
Projekti do të jetë gjithashtu subjekt i një dokumentari: “Megadoc”, me regji të Mike Figgis, që do të bëjë debutimin e tij në Festivalin e Filmit në Venecia në vitin 2025.
Coppola ka lidhje shumë të ngushta me Italinë, dhe në veçanti me rajonin e Bazilikatës.
Agostino, gjyshi i Francis, emigroi nga Bernalda në fillim të viteve 1900, dhe më 1 maj 1989, Coppola u bë qytetar nderi i qytetit, ku ai shpesh kalon pushimet e tij, duke shijuar gjithashtu plazhet e Metapontos, pranë detit Jon.
Regjisori ka një plan për të rigjallëruar zonën e Metapontos; në fakt, ai ka blerë një ndërtesë të vjetër në Bernalda për ta shndërruar atë në një hotel. //a.i/