E Hënë, 2 Nëntor 2026

SUEDI – Vendet anëtare skandinave të NATO-s i ofrojnë Ukrainës 500 milionë dollarë

MALMOE, 5 gusht /ATSH-DPA/ – Vendet skandinave të NATO-s, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia, po ofrojnë gjithsej më shumë se 500 milionë dollarë për një iniciativë për të përshpejtuar dërgesat e armëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ukrainë.

Suedia po kontribuon me 275 milionë dollarë në iniciativën e “Listës së Kërkesave me Prioritet për Ukrainën” (PURL) të koordinuar nga NATO, me Danimarkën që premton 580 milionë krona daneze (90 milionë dollarë) dhe Norvegjinë 1.5 miliardë krona norvegjeze (146 milionë dollarë), njoftuan sot qeveritë e tre vendeve.

Si pjesë e iniciativës, vendet pjesëmarrëse do të blejnë pajisje mbrojtëse nga Shtetet e Bashkuara dhe më pas do t’i vënë ato në dispozicion të Ukrainës në mënyrë që ajo të mund të mbrohet kundër pushtimit të vazhdueshëm rus.

“Paketa skandinave përfshin raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot”, tha ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson, në një konferencë për shtyp në Stokholm.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, falënderoi tre vendet për kontributin e tyre.

Financimi siguron dërgimin e pajisjeve shpëtimtare dhe mallrave thelbësore në vijën e parë të frontit, duke forcuar pozicionin e Ukrainës dhe duke e ndihmuar atë të mbrohet nga agresioni, ndërkohë që përpiqet për paqe të qëndrueshme, tha Rutte në një postim në X.

Vendet skandinave kanë qenë ndër donatorët më të mëdhenj për Ukrainën që nga shpërthimi i luftës ruse në Ukrainë pothuajse tre vjet e gjysmë më parë.

Holanda njoftoi dje lëvrimin e një paketë të ngjashme me vlerë rreth 500 milionë euro si pjesë e “PURL” it. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›