Fruthi në vend është i izoluar, ISHP: Nga hetimi epidemiologjik është shkëputur zinxhiri i transmetimit

Situata e fruthit në vend është nën kontroll, ndërsa për rastet e konfirmuara brenda këtij viti është shkëputur zinxhiri i transmetimit. ISHP jep të dhëna nga hetimi epidemiologjik i kryer, ndërsa thekson se këto raste mbeten sporadike.
Epidemiologe Rovena Daja u shpreh për RTSH se “si pasojë e uljes së mbulesës vaksinale me dy doza, nga 95% sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitet e fundit e kemi 92%. Dhe ulje e kësaj mbulese vaksinale ka çuar në shfaqjen e rasteve sporadike me fruth të cilat fatmirësisht zinxhiri i transmetimit është ndërprerë sepse shumica e fëmijëve janë të vaksinuar. Nga muaji janar dhe deri tani kemi vetëm 18 raste me fruth të cilat kanë qenë kryesisht në Fier dhe Tiranë. Këto janë raste sporadike dhe kryesisht kanë qenë tek fëmijët e pavaksinuar ose një pjesë e tyre e vaksinuar vetëm me një dozë. Ky zinxhir është ndërprerë sepse ka nisur menjëherë hetimi epidemiologjik dhe janë vaksinuar kontaktet.”
ISHP sqaron edhe për fëmijën e prekur nga fruthi pak ditë më parë, i cili ka lindur jashtë vendit dhe nuk i janë aplikuar dozat e vaksinës.
“Prindërit e mbajnë në shtëpi dhe në një moment të caktuar fëmija do ketë rënë në kontakt me këtë virus, i pavaksinuar. Po të kishte aplikuar dozën e parë të vaksinës nuk do të ishte infektuar dhe fëmija ka shfaqur shenja klinike dhe fëmija është i shtruar në QSUT. Prindërit fatmirësisht nuk kanë shenja klinike sepse janë të vaksinuar dhe nuk ka pasur persona të tjerë të infektuar.”
Fruthi është një sëmundje ngjitëse e cila mund të shkaktojë deri në humbje jete, ndaj mjekët bëjnë thirrje për vaksinim, si një mënyrë parandalimi.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/