Fshati Mursi të Konispolit, mes traditës dhe zhvillimit të turizmit

Banorët e fshatit Mursi, në bashkinë e Konispolit, po lënë pas një dimër të vështirë dhe po hyjnë në një periudhë të re transformimi me ardhjen e pranverës.
Kjo stinë rikthen ritmin e zakonshëm të punës dhe shpresën për një sezon më të mbarë në bujqësi dhe ekonomi familjare.
Gjatë kësaj periudhe, banorët i rikthehen punëve të stinës në tokat e tyre, duke u përqendruar kryesisht në kulturat bujqësore që karakterizojnë zonën. Mandarinat, ullinjtë, portokallet dhe pemët e tjera frutore përbëjnë bazën e prodhimit dhe të ardhurave për shumë familje.
Vit pas viti, ky fshat po njeh një zhvillim të dukshëm edhe në fushën e agroturizmit.
Afërsia me Parkun Kombëtar të Butrintit ka ndikuar pozitivisht në tërheqjen e vizitorëve dhe në rritjen e interesit për këtë fshat.
Banorët po shfrytëzojnë potencialin natyror dhe bujqësor për të ofruar produkte vendase dhe përvoja autentike, duke e kthyer agroturizmin në një mundësi të re zhvillimi ekonomik për komunitetin.
Gazetare: B.Pëllumbi
/rtsh.al/