E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fundjavë me reshje shiu, Policia thirrje për respektim të rregullave të qarkullimit

TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Policia e Shtetit bëri thirrje sot për më shumë kujdes nga drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve gjatë fundjavës, për shkak të shkeljeve të shumta të konstatuara, si dhe të parashikimit të reshjeve të shiut që mund të ndikojnë në sigurinë rrugore.

Policia Rrugore u kërkon drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes në akset ku mund të ketë prezencë uji, të respektojnë normat e shpejtësisë, të mos drejtojnë automjetet nën efektin e alkoolit dhe të përdorin transportin publik kur ndodhen në gjendje të dehur. Gjithashtu, theksohet rëndësia e vendosjes së rripit të sigurimit për drejtuesit dhe pasagjerët, si dhe shmangia e parakalimeve të gabuara dhe përdorimit të celularit gjatë drejtimit.

Për drejtuesit e motomjeteve, biçikletave dhe monopatinave, kërkohet që gjatë natës të përdorin jelekë fosforeshentë për t’u bërë të dukshëm në trafik dhe të vendosin kaskë mbrojtëse.

Policia bën të ditur se shërbimet e saj do të jenë të pranishme në akset rrugore nacionale, urbane dhe rurale, duke përdorur mjete inteligjente për matjen e shpejtësisë, dronë dhe alkooltestues.

Në rast nevoje, qytetarët mund të telefonojnë pa pagesë në numrin 112 për të kërkuar ndihmën e Policisë së Shtetit.

1 nga 3

/a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›