Shembet me shpërthim resorti pa leje i ish-kreut të IMT Durrës

TIRANË, 29 gusht /ATSH/ Resorti i ndërtuar pa leje në Kepin e Rodonit nga ish-drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Durrës, Ardian Halili, u shemb këtë të premte me shpërthim të kontrolluar.
Godina dykatëshe, së bashku me objektet shoqëruese që shtriheshin në një sipërfaqe prej rreth 5 600 m², ishte ndërtuar në periudhën 2018–2021, pikërisht në kohën kur Halili drejtonte IMT Durrës.
Një ditë para prishjes së resortit, Halili u arrestua nga autoritetet, nën akuzën për shkelje të ligjit dhe abuzim me detyrën.
“Shtetasi A. H. e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021. Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim”, ka deklaruar më herët policia për rastin.
Çështja në ngarkim të Ardian Halilit, është referuar nga policia në SPAK.
IKMT bëri të ditur sot se, vijon aksioni për shembjen e objekteve pa leje në zonën e mbrojtur.
Gjatë ditës së sotme janë prishur 13 ndërtime të paligjshme, duke çuar totalin në 54 objekte të shembura, thekson IKMT.
Sipas IKMT, puna në terren vijon në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, me synim pastrimin e plotë të territorit dhe mbrojtjen e vijës bregdetare.
/gj.m//r.e//a.f/