GAZA – OKB shpall zyrtarisht zinë e bukës

GJENEVË, 22 gusht /ATSH-AFP/ – Organizata e Kombeve të Bashkuara zyrtarisht shpalli zi buke në Gaza, e para që goditi Lindjen e Mesme, pasi ekspertët e saj paralajmëruan se 500 000 njerëz ishin në një gjendje “katastrofike”.
”Zija në Gaza mund të ishte shmangur pa pengimin sistematik të Izraelit. Kjo zi buke do të na ndjekë dhe duhet të na ndjekë të gjithëve”, akuzoi kreu i zyrës së koordinimit humanitar të OKB-së, Tom Fletcher.
Kjo shkaktoi zemërimin e Izraelit, i cili denoncoi një njoftim të njëanshëm “të bazuar në gënjeshtrat e Hamasit” dhe se ”nuk ka zi buke në Gaza”.
Pas muajsh paralajmërimesh për zi buke në territorin e shkatërruar nga lufta, Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) i OKB-së me seli në Romë konfirmoi se ”një zi buke ishte duke u zhvilluar në qytetin e Gazës dhe pritej të përhapej në provincat Deir el-Balah dhe Khan Younis deri në fund të shtatorit”.
Qyteti i Gazës përfaqëson afërsisht 20% të Rripit të Gazës.
Sipas ekspertëve të OKB-së, më shumë se gjysmë milioni njerëz në Gaza po përballen me kushte “katastrofike”, niveli më i lartë i vështirësisë ushqimore në IPC, i karakterizuar nga uria dhe vdekja.
Sipas IPC, ky është përkeqësimi më serioz i situatës që kur filloi të analizojë Rripin e Gazës.
Sipas IPC-së, një zi buke ndodh kur janë të pranishëm tre faktorë: të paktën 20% e familjeve (një në pesë) përballen me mungesa ekstreme ushqimore, të paktën 30% e fëmijëve nën pesë vjeç (një në tre) vuajnë nga kequshqyerja akute dhe të paktën dy persona nga 10 000 vdesin nga uria çdo ditë./ /os/