GAZA – Sulmi i fundit izraelit shkakton të paktën 30 të vdekur

TEL AVIV, 26 maj /ATSH-DPA/ – Të paktën 30 persona u vranë në një sulm izraelit gjatë natës në Rripin e Gazës, raportoi sot media palestineze, ndërsa forcat ajrore izraelite thanë se kishin në shënjestër një qendër komande të organizatës militante palestineze, Hamas.
”Shumica e të vdekurve ishin gra dhe fëmijë”, raportoi agjencia palestineze e lajmeve WAFA duke shtuar se ”sulmi la gjithashtu dhjetëra të plagosur”.
Ushtria izraelite tha se shënjestra ndodhej në një ndërtesë në veri të qytetit të Gazës që më parë kishte shërbyer si shkollë.
Sipas WAFA-s, ndërtesa kishte strehuar persona të zhvendosur, me tenda që u përfshinë nga flakët gjatë sulmit.
Informacioni nga të dyja palët fillimisht nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Ushtria izraelite tha se sulmi kishte në shënjestër terroristët e Hamasit dhe Xhihadit Islamik që po planifikonin sulme kundër forcave izraelite brenda Gazës dhe në territorin izraelit.
”Shumë hapa u ndërmorën para sulmit për të zvogëluar viktimat civile”, shtoi ajo.
Ushtria e përshkroi këtë si një shembull tjetër të abuzimit sistematik të infrastrukturës civile dhe zonave të mbrojtjes humanitare nga Hamasi duke deklaruar se kjo shkelte ligjin ndërkombëtar./ a.jor.