GAZA – Të paktën 25 të vrarë pas sulmeve ajrore izraelite

GAZA, 30 qershor /ATSH-ANSA/ – Të paktën 25 persona u vranë në sulmet ajrore izraelite, thanë autoritetet lokale shëndetësore në një numër të përditësuar, përfshirë 10 persona të vrarë në Zeitoun, në jug të qytetit të Gazës.
”Dy persona që prisnin ndihmë u goditën nga zjarri izraelit pranë një qendre shpërndarjeje ndihmash në Rafah jugore”, thanë burimet.
Palestinezët në Gazën veriore përshkruajnë një nga netët më të këqija të sulmeve izraelite në javë, pasi ushtria lëshoi urdhra evakuimi masiv.
“Shpërthimet nuk u ndalën kurrë dhe ato bombarduan shkolla dhe shtëpi. Tingëllonin si tërmete”, tha Salah, një baba 60-vjeçar i pesë fëmijëve.
“Në lajme dëgjojmë se një armëpushim është afër, në terren shohim vdekje dhe dëgjojmë shpërthime”, thekson ai.
”Tanket izraelite hynë në pjesët lindore të periferisë Zeitoun të qytetit të Gazës dhe bombarduan disa zona në veri, ndërsa aeroplanët goditën të paktën katër shkolla pasi urdhëruan qindra familje që strehoheshin brenda të largoheshin”, thanë banorët.
IDF tha se goditi objektiva terroristësh në Gazën veriore, duke përfshirë qendrat e komandës dhe kontrollit, pasi mori masa për të zvogëluar rrezikun e dëmtimit të civilëve./ /os/