MADRID – Spanja goditet nga ndërprerje masive të rrjetit telefonik

MADRID, 20 maj /ATSH/- Rrjeti telefonik mbarëkombëtar është mbyllur në Spanjë – vetëm disa javë pasi ndërprerjet e energjisë sollën kaos dhe dëme të rënda financiare në vend, sipas “Independent”.
Shërbimet e emergjencës në një numër rajonesh u detyruan të siguronin numra të rinj telefonikë për ata që kishin nevojë, pasi linjat telefonike u ndërprenë pas përmirësimeve të rrjetit nga “Telefonica”.
“Telefonat fiks ishin më të prekurit, por të gjitha shërbimet zanore nga “Telefonica” duket se janë prekur në një farë mase”, sipas raportimeve në mediat spanjolle.
“Problemet kishin filluar rreth orës 2:00 të mëngjesit”, sipas “El Pais”.
Ministria e Spanjës për Transformimin Digjital dhe Shërbimin Civil i tha medias se po monitoronte situatën, duke kërkuar informacion të saktë dhe afate kohore për një zgjidhje.
Problemi me rrjetin telefonik ndodhi pasi miliona njerëz në të gjithë Spanjën dhe Portugalinë mbetën në errësirë në fund të prillit – pasi një ndërprerje e energjisë elektrike bllokoi pjesën më të madhe të gadishullit Iberik.
Rrjeti elektrik i Spanjës mbeti jashtë funksionit për gati 23 orë përpara se sistemet të riktheheshin në punë si zakonisht.
Spanja ka urdhëruar hetime që përfshijnë qeverinë, agjencitë e sigurisë dhe ekspertët teknikë.
Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë ka nisur hetimet lidhur me një sulm të mundshëm kibernetik. //a.i/