E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJENEVË – IOM: Të gjithë të lodhur nga lufta në Ukrainë

ROMË, 11 korrik /ATSH/ – Shefja e agjencisë së OKB-së për migracionin paralajmëroi se lodhja nga lufta dhe shkurtimet e ndihmës së udhëhequr nga SHBA-të po rrezikojnë mbështetjen për të zhvendosurit nga Ukraina, duke kërkuar paqe dhe financim të qëndrueshëm për të shmangur kriza edhe më të rënda, ndërsa vlerësoi zgjerimin e lejeve të punës për migrantët nga Italia, sipas “Reuters”.

“Lodhja nga lufta në Ukrainë dhe shkurtimet e ndihmës së jashtme të udhëhequra nga SHBA-të po minojnë përpjekjet për të ndihmuar njerëzit që ikin nga vështirësitë”, paralajmëroi sot në një intervistë Amy Pope  kreu i agjencisë së OKB-së për migracionin.

Drejtoresha e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Pope foli një ditë pasi një konferencë për rimëkëmbjen e Ukrainës në Romë mobilizoi mbi 10 miliardë euro (11.69 miliardë dollarë) për vendin.

“Janë tre vjet e gjysmë nga fillimi i konfliktit. Mendoj se është e drejtë të thuhet se të gjithë janë lodhur, dhe këtë e dëgjojmë edhe nga vetë ukrainasit që po përballen me sulme të vazhdueshme në qytetet e tyre dhe shpesh janë zhvendosur disa herë,” tha ajo për Reuters.

“Por përgjigjja duhet të jetë paqja, sepse në fund të fundit, pa paqe, nuk do të ketë fund, jo vetëm për kërkesat për fonde, por edhe për mbështetjen ndaj popullit ukrainas.”

Pushtimi i Rusisë ka shkaktuar krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë këtë shekull, me 5.6 milionë refugjatë ukrainas në të gjithë botën dhe 3.8 milionë të zhvendosur brenda vendit, sipas të dhënave të OKB-së. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›