GJENEVË – OKB: Rritje e dhunës së kolonëve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor

GJENEVË, 15 korrik /ATSH-DPA/ – Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka ngritur alarmin për një rritje të mprehtë të sulmeve nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Jerusalemin Lindor.
Sipas zyrës në Gjenevë, vetëm në qershor u plagosën 96 palestinezë, shifra më e lartë mujore në mbi dy dekada.
Gjithashtu, qindra shtëpi u shkatërruan.
”Që nga fillimi i këtij viti, OKB-ja ka dokumentuar 757 sulme nga kolonët që kanë shkaktuar viktima ose dëme materiale për palestinezët, një rritje prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024”, tha sot një zëdhënës.
”Këto veprime”, shtoi ai, ”po kontribuojnë në konsolidimin e mëtejshëm të aneksimit të pjesëve të Bregut Perëndimor nga Izraeli, praktikë që konsiderohet e paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare. Zhvendosja e detyruar e civilëve në territoret e pushtuara mund të përbëjë krim kundër njerëzimit”.
”Forcat izraelite të sigurisë kanë përdorur forcë edhe kundër individëve të paarmatosur në Bregun Perëndimor”, tha zyra e OKB-së.
Që nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, forcat izraelite dhe kolonët kanë vrarë 964 palestinezë në Bregun Perëndimor, sipas të dhënave të OKB-së.
”Gati 3 000 shtëpi janë shembur, shpesh me arsyetimin se nuk kishin leje ndërtimi, megjithëse marrja e këtyre lejeve është pothuajse e pamundur për palestinezët”, tha zëdhënësi./ /Ad.Ab./