E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Marina në gatishmëri për dislokim në Ngushticën e Hormuzit

KIEL (Gjemani), 4 maj /ATSH-DPA/ – Marina Gjermane ka nisur pozicionimin e dy anijeve në Mesdhe, në prag të një dislokimi të mundshëm në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë.

Anija minapastruese “Fulda” është nisur nga Kiel, ndërsa anija furnizuese “Mosel”, që aktualisht operon në Detin Egje, po përgatitet për një mision të mundshëm.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, qëllimi është vendosja e mjeteve sa më pranë zonës së mundshme të operacioneve në rast të një angazhimi ndërkombëtar.

Autoritetet gjermane theksuan se pjesëmarrja e vendit varet nga disa kushte kyçe: një armëpushim i qëndrueshëm, bazë në të drejtën ndërkombëtare dhe një mandat nga parlamenti, Bundestag.

Qeveria federale shprehu gatishmërinë për të kontribuar në një koalicion ndërkombëtar për të mbrojtur sigurinë e lundrimit në këtë zonë strategjike, duke synuar rikthimin e sigurisë në rrugët tregtare detare.

Një koalicion i mundshëm detar po përgatitet nga Franca dhe Britania e Madhe, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës  kanë njoftuar një operacion për të ndihmuar anijet të dalin nga zona, ndërsa raportimet nga Irani flasin për bllokim të hyrjes së anijeve amerikan, një pretendim që Uashingtoni e ka mohuar.

Anija “Fulda” ka në bord një ekuipazh prej 42 personash dhe zhytës të specializuar për pastrimin e minave, si dhe përdor dronë nënujorë të pajisur me kamera dhe mjete kapëse për identifikimin dhe neutralizimin e rreziqeve.

Ndërkohë, “Mosel” shërben si anije logjistike, duke furnizuar me karburant, ujë dhe ushqime, si dhe duke ofruar mbështetje teknike për mirëmbajtje. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›