E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJERMANI – Ministrja për Zhvillim mbështet deklaratën për përfundimin e luftës në Gazë të nënshkruar nga 28 vende

BERLIN, 22 korrik /ATSH-DPA/- Ministrja gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Reem Alabali Radovan shprehu sot keqardhje që Gjermania nuk iu bashkua 28 vendeve që kërkonin një fund të menjëhershëm të luftës në Gazë, në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar një ditë më parë.

Politikania socialdemokrate tha për gazetën “Rheinische Post” se kërkesa në dokumentin e përbashkët ishte “e kuptueshme”.

“Do të kisha dëshiruar që Gjermania t’i bashkohej deklaratës për përfundimin e luftës në Gazë”, tha Alabali Radovan. Dokumenti u nënshkrua nga 28 vende dhe Bashkimi Evropian.

“Ajo që po ndodh në Gazë tani është e pabesueshme. Fëmijë të pafajshëm po vdesin. Njerëzit po vdesin urie”, shtoi ajo.

“Tani, nevojitet një armëpushim i menjëhershëm dhe i qëndrueshëm”, tha Alabali Radovan.

Ministrat e Jashtëm të 25 vendeve, përfshirë Italinë, Francën, Austrinë, Britaninë e Madhe, Belgjikën dhe Kanadanë, si dhe komisionerja e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke bërë thirrje që lufta në Gazë të përfundonte menjëherë.

Greqia, Qiproja dhe Malta gjithashtu iu bashkuan nismës. Gjermania – e cila për arsye historike e sheh fatin e saj ekzistencialisht të lidhur me atë të Izraelit – nuk është midis nënshkruesve.

“Modeli i ofrimit të ndihmës nga qeveria izraelite është i rrezikshëm, nxit paqëndrueshmërinë dhe i privon banorët e Gazës nga dinjiteti njerëzor”, thuhet në deklaratën e përbashkët. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›