GJERMANI – Pistorius: Raport i përbashkët mbi dronët, hapi i parë i nevojshëm

BERLIN, 2 tetor /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka kërkuar përfshirje më të fortë të forcave të armatosura gjermane, Bundeswehr, në mbrojtjen kundër dronëve të rrezikshëm.
Megjithatë, ai theksoi se hapi i parë duhet të jetë hartimi i një raporti të përbashkët mbi situatën nga autoritetet federale dhe shtetërore të policisë, si edhe nga forcat e armatosura.
Pistorius i bëri këto komente në Berlin gjatë një takimi sot me homologun e tij zviceran, Martin Pfister.
“Unë besoj gjithashtu se ka kuptim të përfshihet më shumë Bundeswehr në formën e asistencës administrative, sigurisht. Por është gjithashtu e qartë¸ndryshe nga përshtypja që jepet ndonjëherë, nuk ka konfuzion kompetencash në Gjermani. Është plotësisht e përcaktuar se kush është përgjegjës në çdo fushë”, tha Pistorius.
Qeveria gjermane po planifikon një ndryshim të Ligjit për Sigurinë Ajrore, pasi një draft i mëparshëm i koalicionit të kaluar dështoi për shkak të përfundimit të parakohshëm të mandatit të qeverisë.
Pistorius tha se drafti i ri parashikon gjithashtu ndihmë administrative nga Bundeswehr dhe kërkoi një ndarje të qartë të kompetencave. “Një ndryshim kushtetues do të ishte parakusht për zgjerimin e ndjeshëm të këtyre përgjegjësive”, shtoi ai.
Nga ana e tij, ministri zvicerian Pfister tha se dronët përbëjnë një kërcënim edhe për sigurinë e Zvicrës.
Si një vend shumë i zhvilluar me infrastrukturë të ndjeshme, Zvicra mund të ndikohet, ashtu si të gjitha vendet evropiane.
“Do të duhet të koordinojmë ngushtë raportin mbi situatën edhe me fqinjët tanë, sepse kërcënime të tilla nuk mund të zgjidhen vetëm në nivel kombëtar, por duhet të shihen edhe në një kontekst të përgjithshëm evropian”, tha Pfister. /Ad.Ab.