UASHINGTON – SHBA do t’i ofrojë Ukrainës informacion për objektivat ushtarake ruse

UASHINGTON, 2 tetor /ATSH/- SHBA-ja do t’i mundësojë Ukrainës informacione mbi objektivat e infrastrukturës energjetike me rreze të gjatë veprimi në brendësi të Rusisë, sipas “The Guardian”.
Ky veprim që do të sinjalizonte një ndryshim të madh në mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë për Kievin.
Vendimi do të ishte shembulli i parë i një ndryshimi në politikën e Donald Trump që nga deklarata e tij në shtator – ku tha se Ukraina mund të rifitonte të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia.
Sipas “Wall Street Journal” dhe “Reuters”, politika e Trump ka ndryshuar në heshtje përpara kësaj deklarate dhe se Shtëpia e Bardhë donte që aleatët e NATO-s të ndiqnin shembullin.
Megjithatë, nuk ishte marrë asnjë vendim nëse SHBA-ja do të furnizonin Ukrainën me raketa “Tomahawk”.
Këtë javë, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha se Trump po shqyrtonte një kërkesë të Kievit për raketa “Tomahawk” – që kanë një rreze veprimi prej 1,500 miljesh.
Informacionet sekrete perëndimore, kryesisht ato amerikane, në formën e imazheve satelitore dhe të dhënave të tjera të monitorimit – konsiderohen një ndihmë e rëndësishme në lejimin e shënjestrimit të saktë të objekteve në brendësi të Rusisë.
Shënjestrimi i objektivave të energjisë, siç janë rafineritë e naftës, do t’i lejonte Ukrainës të zgjeronte ofensivën, tashmë të suksesshme, që ka goditur 21 nga 38 rafineri me dronë me rreze të gjatë veprimi.
Kjo ka çuar në mungesa karburanti në disa pjesë të Rusisë, dhe në disa ditë është vlerësuar se prodhimi ditor është ulur me një të pestën.
Trump është shfaqur gjithnjë e më i irrituar me homologun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë muajit të kaluar, ndërsa Moska ka shtuar sulmet e saj ndaj qyteteve ukrainase dhe nuk ka arritur “të ulë” kërkesat e saj për marrjen e më shumë territoreve.
Pas takimit me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Nju Jork javën e kaluar, Trump postoi në media sociale se Kievi mund ta fitonte luftën, duke argumentuar se Rusia po përjetonte vështirësi ekonomike në rritje.
“Pasi u njoha dhe kuptova plotësisht situatën ushtarake dhe ekonomike Ukrainë/Rusi dhe, pas problemeve ekonomike në Rusi, mendoj se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, është në një pozicion për të luftuar dhe për t’i rifituar territoret e pushtuara”, tha Trump me heret. //a.i/