E Martë, 3 Nëntor 2026

GJKKO lë në arrest shtëpie Berishën dhe Malltezin. SPAK: Ish-kryeministri ka pasur kontakte me jashtë

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, për revokimin e masës e arrestit në shtëpi.

Në argumentet e GJKKO-së thuhet se Berisha ka shkelur masën e sigurisë duke kontaktuar me njerëz të jashtëm. Gjatë seancës së sotme prokurorët e SPAK kanë paraqitur prova se si Berisha futi në banesën e tij dhe kontaktoi me ish-eurodeputetin gjerman Elmar Brok dhe gazetarët e televizionit italian, Rai.

Genc Gjokutaj, avokati i ish-kryeministrit, këmbëngul te kërkesa për përjashtimin nga çështja të gjyqtares Irena Gjoka.

“Sipas ligjit, gjyqtarja Irena Gjoka i ka bërë një relacion gjyqtares që shqyrtonte shkarkimin e saj, ku nuk kundërshton faktin e dënimit për shkelje të zonës Shengen, por thotë se kjo nuk ndikon në objektin për shkarkimin e saj. Kërkesën për shkarkim ia kemi qepur në pallto, do t’i qepim edhe në kostumin veror. Çështja e Gjokës ka shkuar në SPAK. Kemi bërë kërkime për aktet dhe nuk kemi një përgjigje”, tha Gjokutaj.

Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi ndodhen në arrest shtëpie për çështjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›