E Martë, 3 Nëntor 2026

Kumbaro nga Saranda: Policia bashkiake të ushtrojë kompetencat për kundërvajtjet mjedisore

Në vijim të tureve inspektuese në bregdet Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u ndal në Sarandë, shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Oltion Çaçi.

Në këtë ndalesë Kumbaro theksoi se mbarëvajtja e sezonit, sidomos në kohën e flukseve të larta turistike, do të mbështetet edhe me angazhimin e policisë bashkiake dhe të gjitha strukturave të pushtetit lokal.

“Policia bashkiake Sarandë dhe Bashkia Strandë ka marrë të drejtën dhe kompetencën për të ushtruar aplikimin e gjobave për mosrespektim të parkimit dhe të ndotjes së mjedisit. Nuk do të falim njeri”, tha Kumbaro.

Kryetari i bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi u shpreh se nevojiten masat më të shtuara jo vetëm për pastërtinë, por edhe për mobilitetin e qytetit.

“Janë 30% rritje më shumë krahasuar me vitin e kaluar që do të thotë se do të kemi 30% më shumë ndotje, 30% më shumë mjete dhe jemi të detyruar të marrim masa për të patur një sezon sa më të mbarë”, u shpreh Çaçi.

Kumbaro theksoni edhe njëherë nevojën për një kujdes më të madh nga ana e sipërmarrjeve për një mjedis më të kuruar.

“Shumë mirë bëjnë hotelet që investojnë, por nuk ka kuptim që ne gjendemi përpara pirgjeve me inerte të hedhura lart e poshtë”, deklaroi Kumbaro.

Ndërkohë Agjencia Kombëtare e Bregdetit që do të mbështesë bashkinë e Sarandës në menaxhimin e mbetjeve gjatë muajve të pikut të sezonit duke dyfishuar kapacitetet pastruese të Sarandës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›