E Diel, 1 Nëntor 2026

Gara për kreun e SPAK, Gokaj: Luftë të pandërprerë korrupsionit dhe krimit të organizuar

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) u zhvillua sot dëgjesa publike me kandidatët për drejtues të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Prokurori Elvin Gokaj, në garë për kreun e SPAK, paraqiti para anëtarëve të KLP-së platformën dhe vizionin e tij për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.

Gokaj theksoi se SPAK duhet të mbetet institucioni kyç i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Sot jemi me fat, se puna e kujtdo drejtuesi që do të marrë detyrën, nuk është në vakum. Mandati i drejtuesit të ri mbështetet mbi një themel tashmë të konsoliduar nga ana e drejtuesve të mëparshëm të kësaj strukture”, tha ai.

Gokaj shtoi se “gjatë ushtrimit të detyrës kam hetuar dhe çuar për gjykim çështje me rrezikshmëri të lartë shoqërore, përfshirë korrupsionin dhe vepra penale në kuadër të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në SPAK Kam hetuar çështje të zyrtarëve të lartë publik, të pushtetit lokal dhe qendror duke patur si udhërrëfyes mbrojtjen e të drejtave të njeriut në proces, cilësinë e provës dhe barazinë para ligjit”.

“Në të gjitha rastet ngritjen e akuzës e kam mbështetur vetëm në prova dhe kam kërkuar masa sigurimi në proporcionalitet me objektin dhe subjektin e hetimit”, nënvizoi ai.

Sipas tij, të gjitha rastet e ngritjes së akuzës kanë marrë fajësi para gjykatës.

“Në themel të punës sime do të qëndrojë bashkëpunimi i ngushtë në grup”, u shpreh ai.

Gokaj tha se synimi kryesor dhe veprimtaria e tij do të fokusohet në katër shtylla kryesore.

“Në luftën e pandërprerë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar; në konsolidimin e institucionit përmes përmirësimit të strukturës si dhe shtimit të kapaciteteve njerëzore me ekspertë të fushave të ndryshme; në forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë në fushën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe; në forcimin e besimit tek publiku”, tha ai.

Sipas Gokajt këto prioritete përbëjnë thelbin e qasjes së tij ndaj drejtimit të Prokurorisë së Posaçme dhe përfaqësojnë angazhimin për ta udhëhequr institucionin drejt një fazë të re pjekurie ku profesionalizmi dhe llogaridhënia të jenë standard të punës së përditshme.

Përpara zbatimit të këtyre masave, theksoi Gokaj “drejtimi i ri i SPAK do të nisë me një analizë të plotë të situatës aktuale të burimeve njerëzor strukturës organizative dhe ngarkesës së punës në mënyrë që ndërhyrjet të jenë efektive”.

“Një nga synimet kryesore të mandatit tim do të jetë kualifikimi dhe rritja profesionale maksimale e stafit mbështetës i cili do të ndihmojë prokurorët në përgatitjen e çështjes”, tha ai.

Gokaj shtoi gjithashtu se do të forcojë kapacitete analitike të BKH-së.

“Marrëdhënien mes drejtuesit të SPAK dhe atij të BKH-së duhet të jenë strategjike e profesionale dhe me ndarje të qartë rolesh”, tha ai.

Gjithashtu sipas Gokajt, do të forcojë bashkëpunimin mes institucioneve dhe për këtë qëllim, shtoi ai, “synoj që të krijoj një organizëm ndërlidhës me institucione të tjera ligjzbatuese e mbikëqyrëse që garanton shkëmbim të shpejtë të të dhënave duke organizuar edhe takime periodike të përbashkëta”.

Në fokus të drejtimit tim, nënvizoi Gokaj, “do të jetë e përditshme mbështetje dhe masat e sigurisë që do të ndërmerren për sigurinë dhe mbrojtjen e personelit në SPAK. Siguria fizike, psikologjikë dhe digjitale e prokurorëve dhe familjarëve të tyre është një prioritet absolut dhe i pakushtëzuar”.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›