PORTUGALI – Greva e përgjithshme paralizon fluturimet, trenat dhe shërbimet

LISBONË, 11 dhjetor /ATSH-AFP/ – Transporti ajror dhe hekurudhor, spitalet dhe shkollat u përballën sot me ndërprerje të mëdha në Portugali, ndërsa sindikatat thirrën grevën më të madhe kombëtare për më shumë se një dekadë kundër reformave të punës të qeverisë.
Stacioni kryesor hekurudhor i Lisbonës ishte bosh, me shumicën e shërbimeve të anuluara, dhe linja kombëtare ajrore ”TAP Air Portugal” anuloi rreth dy të tretat e 250 fluturimeve të saj normale.
Sindikatat kundërshtojnë ligjin e ri, të propozuar nga qeveria e djathtë, që zgjat kontratat e përkohshme të punës me afat të caktuar dhe rrit shërbimet minimale gjatë grevës.
Kryeministri Luis Montenegro theksoi se reformat e punës, me mbi 100 masa, synojnë ”të stimulojnë rritjen ekonomike dhe të ofrojnë paga më të mira”.
Por, sindikatat CGTP me prirje komuniste dhe UGT më moderate kanë kritikuar ashpër planet.
Greva është më e madhja në Portugali që nga qershori 2013, kur vendi kërkoi ndihmë nga FMN-ja dhe Bashkimi Evropian për të kapërcyer krizën e borxhit.
”Nga një popullsi punëtore prej rreth pesë milionë njerëzish, rreth 1,3 milionë tashmë janë në pozicione të pasigurta”, shtoi Oliveira.
Me zgjedhjet presidenciale të Portugalisë të planifikuara për fillim të vitit 2026, ai tha se greva ishte parë si një sukses edhe para nisjes, pasi kishte tërhequr vëmendjen e publikut ndaj reformave të punës.
Opinioni publik mbështet gjerësisht veprimin, me 61 për qind të të anketuarve në favor të grevës, sipas një sondazhi të publikuar në media portugeze./ /Ad.Ab./