E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të akuzuar për trafik droge drejt Francës, GJKKO dënon Redian Dodën dhe Zabit Fisnikun

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shqyrtoi sot kërkesën e SPAK për gjykimin e çështjes penale ndaj të pandehurve Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku dhe Fabi Isaku, të akuzuar për trafik droge drejt Francës.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi që të pandehurit Redian Doda alias Refik Doda, t’i ulet 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 5 vite e 4 muaj burgim.

Ai u deklarua fajtor vetëm për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe u lirua nga akuzat për veprat e tjera penale.

Llogaritja e dënimit fillon nga data e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Redian Doda alias Refik Doda do të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Po ashtu, GJKKO deklaroi fajtor të pandehurin Fabi Isaku për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë. Në përfundim Isakut iu ul 1/3 e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 4 vite e 8 muaj.

Ndërsa i pandehuri Zabit (alias Artur) Fisniku u lirua nga akuzat penale dhe ndaj tij u urdhërua heqja e masës së sigurimit “Arrest në burg”.

GJKKO urdhëroi lirimin e menjëhershëm të të pandehurit Zabit Fisniku nga paraburgimi.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›