Gazheli: Prioritet forcimi i kapaciteteve të administratës doganore

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, zhvilloi sot një vizitë pune në Doganën e Kapshticës, një nga portat hyrëse kryesore të vendit në kufirin me Greqinë.
Gjatë takimit me stafin, u analizuan rezultatet e performancës së 8-mujorit. Gazheli theksoi se arritjet e deritanishme janë pjesë e rrugëtimit drejt objektivit madhor “Shqipëria Europiane” dhe vizionit strategjik “Dogana 2030”.
Ai vuri në dukje se modernizimi dhe forcimi i kapaciteteve të administratës doganore mbeten prioritet, për të garantuar shërbime më efikase dhe në përputhje me standardet europiane.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore, ku përfshihen të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare, gjatë periudhës janar-gusht, u realizuan në vlerën 158 miliardë lekë, 5.4 miliardë lekë ose 3,5% më shumë se janar-gushti i vitit 2024, dhe me realizim 99% e planit të periudhës për të ardhurat doganore, për vitin 2025.
1 nga 6/a.f/