Shqipëria arrin datën e caktuar për SEEPA, Këshilli Europian i Pagesave vendos 7 tetorin si ditën e kryerjes së transaksioneve

Kur Shqipëria u bë pjesë e shtrirjes gjeografike të Zonës së Njësuar të Pagesave në Euro (SEPA), Këshilli Europian i Pagesave konstatonte se përfshirja si pjesë e grupit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor është një moment i rëndësishëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Pak ditë para hyrjes në fuqi të këtij operacioni, Banka e Shqipërisë (BSH) deklarohet për arritjen e pagesave në kohë reale e me kosto shumë të ulura përtej kufijve të Shqipërisë.
“Ka qenë një datë e cila është vendosur nga Këshilli Europian i pagesave. Ishte e imponuar prej atyre si data e parë kur ne mund të inicionim transaksione të tilla. Kjo qen një arritje për sistemin tonë bankar. Kostot e bankave për kryerjen e këtyre pagesave janë më të ulëta sesa kanë qenë përpara kur në mes ishte një bankë që quhej bankë korrespondente”, tha Doriana Krasniqi nga Departamenti i Sistemeve të Pagesave në BSH.
Në prag të fillimit të këtij veprimi operacional, Banka e Shqipërisë veçon prirjet e ndikimit.
“Transfertat në degë do të kushtojnë dyfish më shumë sesa transfertat elektronike. Për të përdorur këto kanale elektronike, qytetarët dhe bizneset duhet të hapin një llogari bankare”, shtoi Krasniqi.
Veçoria e operacionit për Shqipërinë, si vend ballkanik ende pa infrastrukturën e një shteti anëtar të BE-së, lidhet me kryerjen e operacioneve përmes një kloni të afruar nga banka qendrore e Italisë, e cila e zotëron këtë infrastrukturë.
“Ky sistem është infrastrukturë e cila quhet klon, sepse imiton infrastrukturën që përdor Banka Qendrore Evropiane në tregun e BE-së, por për sa kohë ne nuk jemi anëtar i BE-së, nuk mund të kemi akses në këtë infrastrukturë. Është kontaktuar Banka e Italisë për të ndërtuar këtë sistem të ngjashëm me sistemin klon”, shpjegoi Krasniqi.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/