E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

‘Giro d’Italia’ sot në Vlorë, Dredha: Nuk do ketë shtyrje të orarit të votimit, qytetarët të shprehin vullnetin e tyre

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Në Vlorë do të zhvillohet sot etapa e tretë dhe e fundit e garës ndërkombëtare “Giro d’Italia 2025” në Shqipëri, e cila përkon edhe me zgjedhjet parlamentare.

Për këtë shkak, Partia Socialiste kërkoi shtyrje të orarit të mbylljes së disa qendrave të votimit në Qarkun e Vlorës, deri në orën 22:00, por kërkesa është refuzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kështu bëri me dije për mediet kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, i cili shprehu vullnetin e tij me votë pranë Qendrës së Votimit 4471.

Dredha në një prononcim për media pas votimit të tij iu bën thirrje për pjesëmarrje të gjithë qytetarëve.

“Sot tashmë pas një rrugëtimi të gjatë të të gjitha partive që kanë bërë një fushatë dinjitoze në qytetin tonë, procesi po ecën mirë, përveç disa problematikave të vogla që janë shfaqur në orët e para të votimit. Megjithatë janë zgjidhur të gjitha, shpresojmë të shkojë kështu deri në fund. Unë ju bëj një thirrje si kryetar i bashkisë së Vlorës, por edhe si qytetar i Vlorës që të dalin të votojnë dhe të shprehin vullnetin e tyre të lirë për të ardhmen e tyre, të fëmijë të tyre, të qytetit tonë të Vlorë dhe padyshim të të gjithë Shqipërisë”, tha ai.

Lidhur me eventin e madh sportiv “Giro d’Italia”, e cila mbahet sot në Vlorë, Dredha tha se KQZ deri më tani ka njoftuar që nuk do të ketë një shtyrje të orarit të procesit të votimit.

Ai theksoi se kjo garë madhështore nuk do të pengojë qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre të lirë, për të votuar në këto zgjedhje parlamentare.

“Sado që ne kemi dhe një problematike, apo një event tjetër që po ndodh në qytetin e Vlorës që nuk ndodh shpesh, ndodh një herë e në disa kohë që është ‘Giro d’Italia’, i kemi marrë masat dhe për atë. Shpresojmë që ky event kaq i bukur të përmbyllet me sukses. Orari do të jetë siç ka qenë ora, 19:00, prandaj u bëjmë thirrje që të gjithëve që të dalin sa më shpejt me qëllim që të evitojnë pjesën e trafikut që do të krijohet nga ‘Girod d’Italia”, deklaroi kryebashkiaku Dredha.

/a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›