Gjekmarkaj: Koha për t’i hapur rrugë qeverisë teknike!

Nënkryetari i parlamentit, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj kërkoi të enjten largimin e qeverisë Rama për t’i hapur rrugë qeverisjes së vendit përmes një qeverie teknike.
Duke marrë fjalën në Kuvend, Gjekmarkaj ngriti shqetësim për mënyrën se si po e qeveris vendin Partia Socialiste.
“Kush jeni ju? Partia Socialiste që duhej të ishte sociale dhe socialiste me shqiptarët, apo një organizatë partnere dhe e tillë vetëm me banditët e cituar nga ish-zëvendëskryeministri juaj? Kush jeni, partia që matet elektoralisht me kundërshtarët apo ajo që pret agimin e ”fitoreve” pas natës së errët të kërcënimit të tyre nga të “fortët” me “thikat e tyre te gjata”” tha zoti Gjekmarkaj.
Ai tha se pas përfoljes së shumtë për lidhje të qeverisë me krimin, e vetmja që ka hequr dorë nga sakrifica është qeveria.
“Asaj i kërkohet vetëm një, më modestja e tyre, më e lehta, të ike, t’i hapë rrugë “qeverisë teknike”, sepse pas qeverisë që duket, edhe pse shumë e përfolur dhe e akuzuar, e pamjaftueshme në gjithçka e kudo, qëndron në hije, në terrin e natës dhe arrogancën e ditës, një tjetër qeveri, e cila nuk ka asnjë besim vote dhe nuk ndien asnjë përgjegjësi ndaj popullit dhe kjo është ajo e vërteta”, u shpreh zoti Gjekmarkaj.
/ rtsh.al /