Gjendja në spital, ministria akuzon drejtorin e QSUT-së
Tiranë- Për situatën e krijuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është përgjegjës drejtori. Kështu është shprehur sot ministria e Shëndetësisë, përmes një deklarate për shtyp, duke akuzuar direct kreun e spitalit Mati Pepa për çdo problem të krijuar në keqmenaxhimin e qendrës më të madhe spitalore të vendit.
Ministria ka vlerësuar shqetësimet e qytetarëve, politikës dhe medias lidhur me gjendjen në QSUT . "Përgjegjës zyrtar për çdo problem të krijuar në keqmenaxhimin e QSUT-së dhe fushatën denigruese kundër politikave zyrtare qeveritare në fushën e Shëndetësisë ështëdrejtori i QSUT-së, z. Mati Pepa, i cili në maj të këtij viti është propozuar për t’u shkarkuar nga ministri Nard Ndoka. Por jashtë çdo morali profesional dhe zyrtar ai vijon të mbajë peng drejtimin e qëndrës më të madhe spitalore dhe universitare në vend", thuhet në njoftimin për shtyp.
Sipas procedurave ligjore dhe administrative, furnizimi me medikamente dhe materiale mjekimi bëhet një herë në vit dhe ai i vitit 2007 është bërë për nevoja të planifikuara deri në fund të muajit korrik 2008. "Çdo problem që krijohet me mungesat lidhet vetëm me keqmenaxhimin në QSUT dhe jo me planifikimet dhe aktivitetin e Ministrisë së Shëndetësisë".
Bazuar në të dhënat zyrtare, ministria ka sqaruar se gjatë vitit 2008, QSUT-së i është akorduar një fond prej 2.3 miliard lekësh buxhet operativ për blerje medikamentesh dhe materialesh mjekimi. Kjo shifër, sipas saj, cilësohet rreth 25 për qind më shumë se vitin e kaluar. “Në plan kombëtar, financimi për QSUT- në përbën 50 për qind të buxhetit operativ të të gjitha spitaleve të Shqipërisë të marra së bashku", thuhet në njoftimin për shtyp.
Të njëjtat burime shtojnë se ka informacione se në QSUT janë krijuar humbje të mëdha në medikamente.