Nafta sërish në majë, 145 USD/fuçi
Nafta ka shënuar një tjetër rritje, duke u kuotuar në 145 dollarë për fuçi.Ne tregun aziatik, Brenti i Londrës, është shitur me 145 $, duke shënuar një rritje me 74 cent, në një kohë që ajo e New York është kuotuar në 144.38, apo 81 cent më shumë. Rritja ka ardhur menjëherë pas vendimit të SHBA-ve, për një rënie të inventarëve të naftës. Çmimet botërore të arit të zi kanë shënuar një rritje me 45 % që nga fillimi i këtij viti, në një kohë që kombinimi dollar i dobët, kërkesënë rritje, dhe mundësitë për ndërprerje të furnizimit në Lindjen e Mesme dhe Afrike kanë çuar në rritjen e çmimeve. Por kjo rritje tjetër e çmimeve i dedikohet pikërisht tensioneve mes SHBA-ve dhe Iranit. Ndërkaq, tregu vendas prej më shumë se dy javësh paraqet stabilitet përsa i përket çmimeve të karburanteve, të cilat vazhdojnë të mbeten në nivelet 165 dhe 160 lekë për litër, përkatësisht naftë dhe benzinë. Por ajo që ndryshe nga sa ndodh në bursa, ku nafta pëson rritje dhe ulje të çmimit, në tregun vendas këto dukuri reflektojnë vetëm rritje.
A po mbarojnë rezervat e naftës?
Shqetësimet në lidhje me arritjen e pikut në prodhimin e naftës, kanë ardhur pikërisht për shkak të spekulimeve dhe parashikimeve të cilat jo rrallë herë kanë ndikuar në luhatjen e madhe të çmimeve të karburanteve në tregje. Sipas një studimi, piku i prodhimit në vitet ’70 do të çonte më vonë në një rënie graduale të këtij të fundit, e në një kohë që kërkesa me kalimin e kohës do të vinte në rritje, mungesa e ofertës nuk mund të shkaktonte gjë tjetër, veç rritje të çmimeve, një fenomen të cilin aktualisht bursat nuk po munden ta shmangin. E ashtu siç ishte parashikuar, vit pas viti analistët dhe ekonomistët thonë se rezervat e naftës po vijnë në rënie, dhe kjo sipas tyre duket qartë edhe në marrëdhëniet e krijuara mes prodhuesve. Por pavarësisht deklaratave, ka shpresa optimiste se prodhimi i arit të zi, nuk do të bjerë në atë pikë sa të shkaktojë dëme të pariparueshme në ekonomitë botërore, sidmos në konsumatorët më të mëdhenj. Sipas analistëve edhe në rast se kjo teori do të vërtetohet, sërish, ekonomia botërore do të ketë një rritje maksimale të prodhimit në vitin 2030. Sipas tyre, në rast se prodhimi i naftës fillon të bjerë, prodhimi botëror do të jetë të paktën 10 milionë fuçi naftë në ditë, minus.