E Diel, 1 Nëntor 2026

Harasani: Falja e kamatëvonesave, e gabuar

Sistemi i shpërndarjes dhe të ardhurat e KESH-it nuk janë e drejtë e Kryeministrit apo Ministrit të Ekonomisë. Ish kreu i korporatës, duke komentuar vendimin për faljen e kamatëvonesave, thotë se janë me mijra konsumatorë të tjerë që penalizohen. Sipas Andis Harasanit, probleme do të ketë dhe me detyrimet tatimore që janë paguar për faturat.

Vendimi për faljen e kamatë vonesave për faturat e energjisë është një ndër vendimet me efekte negative si për qeverinë ashtu dhe për konsumatorët. Ish kreu i korporatës elektroenergjetike, i cili para disa vitesh nuk e ka pranuar një propozim të tillë shprehet se janë me qindra mijëra konsumatorë, të cilët kanë qenë mëse të rregullt me pagesa, dhe mbi këta rëndon vendimi për amnisti.

Fatura financiare e amnistisë, që është rreth 100 milion dollarë nuk është e drejtë e kryeministrit, apo ministrit të Ekonomisë, dhe vendimi nuk duhej të ishte marrë. Sipas Harasanit, një tjetër faturë financiare do të shoqërojë amnistinë. Kthimi i detyrimeve tatimore që KESH ka paguar për këto fatura, duhet të përllogaritet dhe t`i jepet sërish korporatës.

Në fillim të kësaj jave u bë i ditur vendimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për të falur kamatëvonesat. Deri në fund të këtij viti, të gjithë abonentët familjarë mund të paguajnë vetëm principalin e faturave të pashlyera. Në shtator, pritet që të hapet tenderi ndërkombëtar për shitjen e paketës kontrolluese të aksioneve të OSSH-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›