E Martë, 3 Nëntor 2026

Gjetjet e OSBE/ODIHR për 11 majin, Zannier: Situata nuk është bardhezi, ka fusha ku ka nevojë për përmirësime

TIRANË, 12 maj/ATSH-Maela Marini/ Ambasadori Lamberto Zannier, shefi i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR-it tërhoqi sot vëmendjen për mungesën e debatit publik mes kandidatëve në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa evidentoi se vërehet një polarizim shumë i fortë politik.

Në konferencën e sotme për mediet për paraqitjen e gjetjeve paraprake të misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, Zannier iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse zgjedhjet e 11 majit përmbushën standardet ndërkombëtare.

“Mënyra se si ne operojmë është që ne nuk bëjmë një vlerësim të përgjithshëm në raport me standardet ndërkombëtare. Ne shohim aspekte të ndryshme të zgjedhjeve, shohim si zhvillohet fushata, shohim anën e medies, anën ligjore. Ju do ta shihni se nuk është një situatë bardhezi. Ka disa hije nuanca”, u shpreh ai.

Ambasadori Zannier theksoi se “ka fusha ku ka nevojë për përmirësime, ka fusha ku  standardet janë më të larta, ka edhe disa probleme që duhet të adresohen”.

“Raporti është për autoritete që duhet të shohin komentet tona dhe të angazhohen”, tha ai.

Ambasadori Zannier theksoi se ka një lloj polarizimi shumë të fortë, por është e rëndësishme që në një moment të caktuar të distancohesh.

“Këshilla ime është që të angazhohen në mirëbesim. Ajo që unë shoh në Shqipëri kur vij i ftuar në këtë vend është se ka një lloj polarizimi shumë të fortë, ka opinione shumë të forta. Unë jam edhe vetë italian dhe e di këtë por është e rëndësishme që në një moment të distancohesh pak”, tha ai.

Po ashtu ambasadori Zannier tërhoqi vëmendjen për mungesën e debatit publik në medie mes kandidatëve.

“Pashë edhe në medie mungesë debatesh mes kandidatëve që në fund duhet të përkthehet në informacion për zgjedhësit. Duhet të angazhohen për të krijuar një klimë më të mirë përgjithësisht”, tha ai. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›