Kreu i ri i SPAK, ambasadori gjerman uron Klodian Brahon: Lufta ndaj korrupsionit, kyçe për integrimin e Shqipërisë

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, ka përgëzuar Klodian Brahon për zgjedhjen e tij në krye të Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar rëndësinë e kësaj strukture në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ambasadori Bergner nënvizoi se puna e SPAK-ut ka rol thelbësor për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një proces që Gjermania e mbështet fuqimisht.
“Urime drejtuesit të ri të zgjedhur sot të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodian Braho. Lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka një rëndësi të jashtëzakonshme nga këndvështrimi i Gjermanisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE,” theksoi Bergner.
Ai shtoi se për funksionimin e SPAK-ut mbeten të domosdoshme integriteti, pavarësia dhe respektimi i standardeve më të larta të shtetit të së drejtës.
“I uroj shumë sukses Klodian Brahos dhe të gjithë punonjëseve e punonjësve të SPAK-ut në detyrën e tyre ambicioze, si dhe një bashkëpunim të frytshëm me institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare,” vijoi ambasadori.
Bergner shprehu gjithashtu mirënjohje për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke vlerësuar procesin transparent të zgjedhjes së drejtuesit të ri.
“Mirënjohja ime sot shkon edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për procesin transparent të zgjedhjes dhe për të gjitha institucionet e drejtësisë në Shqipëri, të cilat çdo ditë kontribuojnë për shtetin e së drejtës,” përfundoi ai.
Klodian Braho u zgjodh drejtuesi i ri i SPAK mes 4 kandidatëve duke marrë 7 vota nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
/rtsh.al/