Gjobiten 14 495 persona, 49 të arrestuar për shkelje rrugore në Tiranë

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës ka kryer kontrolle me dronë, radarë dhe kamera si dhe prani të shtuara të shërbimeve të Policisë Rrugore për të evidentuar shkelësit e rregullave të qarkullimit.
Policia njoftoi sot se gjatë javës së fundit, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve janë vendosur 14 495 masa administrative.
Sipas policisë, 49 shtetas janë arrestuar/proceduar për shkelje të rregullave të Kodit Rrugor, 15 prej arrestimeve, për drejtim të automjeteve në gjendje të dehur/ose pa leje.
Po ashtu, sipas policisë, u kapën 4 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale.
“40 automjete janë bllokuar dhe 21 lejedrejtimi janë pezulluar”, njoftoi policia.
Policia Rrugore apeloi sërish përdoruesit e rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, njëkohësisht fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. /j.p/