Gjykata e Durrësit lë në burg ish-drejtorin e AKU-së, Elton Varaku

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg ish-drejtorin e Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Durrës, Elton Varaku.
Në seancën e zhvilluar këtë të hënë për vlerësimin e masës së sigurisë, gjykata e cilësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të tij. Gjatë seancës, Varaku ka kërkuar falje, ndërsa avokati i tij është shprehur se veprimet për të cilat akuzohet kanë qenë një reagim i çastit.
Sipas prokurorisë, ai akuzohet për veprat penale “shkatërrim prone” dhe “kanosje”.
Arrestimi i ish-drejtorit të AKU-së ndodhi të premten, pasi në drejtorinë e institucionit mbërriti urdhri për pezullimin e tij nga detyra. Pasi ka marrë dijeni për këtë vendim, ai është rikthyer në ambientet e punës, ku dyshohet se ka shkatërruar kompjuterë dhe pajisje të tjera në laboratorin e AKU-së në zonën e Shkozetit.
Po ashtu, sipas hetimeve paraprake, ai ka përdorur gjuhë kërcënuese ndaj punonjësve të institucionit. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
/rtsh.al/