Gjykata e Shkodrës liron të ndaluarit e Rrjollit, mohojnë plagosjen e punonjësve të policisë private

Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër ka vendosur masën “detyrim paraqitje një herë në muaj” për 6 banorë të fshatit Rrjoll, të cilët akuzohen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”.
Sipas avokatit të tyre, Ndue Pjetra, “akuzat e ngritura ndaj banorëve nuk qëndrojnë” dhe sipas tij ato kanë rënë poshtë gjatë shqyrtimit”.
Ai theksoi se “asnjë punonjës i policisë private nuk është goditur nga banorët, por është rrëzuar vetë gjatë përplasjes me protestuesit.
Seanca gjyqësore është shoqëruar edhe me protesta nga banorë të zonës, të cilët kanë mbështetur të akuzuarit.
Prej më shumë se një muaji, banorët e Rrjollit po protestojnë duke pretenduar se po u merret prona për t’i hapur rrugë ndërtimit të një resorti turistik në zonë.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/