E Diel, 1 Nëntor 2026

Procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve drejt fundit, sot deklarimet përmbyllëse

PRISHTINË, 18 shkurt /ATSh/ Në Gjykatën Speciale të Kosovës, në Dhomat e Specializuara në Hagë, zhvillohet sot seanca e fundit gjyqësore para shpalljes së vendimit në ngarkim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Katërshja udhëheqëse e UÇK-së sot do të japë konkluzionet përfundimtare.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga muaji nëntor i vitit 2020, do të kenë në dispozicion nga 20 minuta secili për të folur. Më pas, trupi gjykues do të ketë tre muaj kohë për të marrë vendimin final dhe, nëse është e nevojshme, mund të kërkojë edhe kohë shtesë.

Pas fjalës së fundit të të pandehurve, ekipet mbrojtëse do t’i drejtohen trupit gjykues edhe për 30 minuta. Mbrojtja ka kërkuar pafajësi për akuzën e krimeve të luftës të ngritur nga Zyra e Prokurorisë Speciale, e cila ka kërkuar nga 45 vjet burg për secilin prej të pandehurve.

Sot, gjatë seancës, të pranishëm janë një numër i madh familjarësh. Në këtë seancë merr pjesë edhe zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.

Deklarimet përmbyllëse kanë nisur më 9 shkurt. Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka filluar më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›