“Goditeni Ramën me vezë dhe domate”/ Berisha thirrje për protestën e 17 Prillit: Dita e kryengritjes së madhe paqësore

Në fund të fjalës së tij në “Foltoren” e kësaj të hëne, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Tirana dhe mbarë vendit që të bashkohen më 17 në atë që e cilësoi si “ditën e kryengritjes së madhe paqësore”, për të kërkuar, sipas tij, që kryeministri Edi Rama të përballet me ligjin.
“Me 17 kemi ditën e kryengritjes së madhe paqësore, ftoj qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, të bashkohemi për t’i thënë Edi Ramës se vendi yt është para ligjit, para ligjit, para ligjit! Të hënën tjetër, në ora 7, në këtë shesh, përsëri për ti marrë fytyrën atij që s’ka fytyrë. Edi Ramës!“, tha Berisha.
LEXO EDHE: “Foltorja”/ Berisha flet për Ramën, Ballukun, integrimin por asnjë fjalë për çmimin e naftës
Kujtojmë se, gjatë fjalës së tij, Berisha i bëri thirrje qytetarëve të godasin me vezë dhe domate kryeministrin Edi Rama në çdo takim publik që ai kryen.
“Të dashur miq, i diskredituar në shkallën më ekstreme. U thashë edhe njëherë, në mënyrë absolute atë ditë që votoi në parlament për të bllokuar arrestimin e Ballukut, kreu të njëjtin akt sikur të dilte lakuriq në këtë ballkon para qytetarëve. Identik. Tregoi se çfarë malli është dhe kush është. Tani kërkon të shëtisë dhe të bëjë takime me qytetarët. Qytetarë dhe qytetare, mos e pranoni. Me një domate dhe vezë në xhep në çdo takim të tij të shkoni dhe gjuajeni. Gjuajeni se nuk ka burrë më frikacak mbi tokë. Dijeni mirë se ai është njeriu më frikacak që ka bërë nëna në këtë vend dhe se veprimet e tij janë veprimet e frikacakut. Ndaj dhe mos ia kurseni. Edhe në takim shkoni, po nga një vezë apo domate të kalbur hidhjani“, tha ndër të tjera kreu i PD-së.