Goditet qendra e masazheve, ushtronte prostitucion. Në pranga menaxherja

Policia ka goditur një qendër masazhesh që ushtronte veprimtarinë e paligjshme të prostitucionit. Në kuadër të operacionit të koduar “Fusion”, policia ka vendosur në pranga menaxheren e qendrës së masazheve. Ndërsa ka shpallur në kërkim një 19 vjeçar.
“Kishte përshtatur një qendër masazhesh, për veprimtarinë e kundërligjshme të prostitucionit, shpallet në kërkim 19-vjeçari.
Vihet në pranga menaxherja e qendrës së masazheve së bashku me një punonjëse, procedohen penalisht 3 shtetas të tjerë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Fusion”, thuhet në njoftimin e policisë.
Përveç menaxheres 26-vjeçare e cila u arrestua në flagrancë janë proceduar në gjendje të “lirë shtetaset R. S., 28 vjeçe dhe K. K., 19 vjeçe, punonjëse në qendrën e masazheve, dhe shtetasi D. O., 49 vjeç, banues në Tiranë”
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se, shtetasi M. M., administronte një qendër masazhesh, në rrugën “Nikolla Jorgo”, me menaxhere shtetasen M. K., dhe përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit.
Ndërkaq, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/rtsh.al/