E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Më shumë dëgjesa në Kuvend nga ministrat për çështjet me interes publik

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, u kërkoi ministrave të kenë më shumë dëgjesa në Kuvend, me qëllim informimin e publikut, përkundër “baltës së hedhur nga opozita”, siç i cilësoi ai akuzat e opozitës.

Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të premte në Tiranë grupin parlamentar socialist, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, ndërsa kërkoi më shumë angazhim nga ana e të gjithëve.

“Është mirë që këtë temë ta trajtojmë dhe të krijojmë më tepër hapësirë si grup parlamentar për të pasur dëshmi të ministrave dhe të tjerëve për çështje që kanë interes për publikun, pra dëgjesa të parlamentit”, tha Rama.

Sipas tij, numri i dëgjesave është shumë i vogël dhe kjo për shkak se opozita nuk i njeh këto si instrument parlamentar, por kërkon vetëm “teatër” përmes komisioneve parlamentare.

“Ka shumë pak dëgjesa, pasi kemi një çetë që nuk e njeh dëgjesën, por komisionin hetimor, që e thënë ndryshe është ftesë për një teatër balte. Dëgjesat janë një praktikë e konsoliduar parlamentare në vendet normale dhe ne s’mund të presim, se zakonisht i ka për detyrë opozita t’i thërrasë ato, por mund t’i organizojë edhe mazhoranca”, theksoi Rama.

“Na duhen dëgjesat dhe si një instrument institucional për të trajtuar çështjet të një rëndësie të parë për vendin, por që degradojnë në copëza trillimesh dhe historish që hidhen për të helmuar publikun”, u shpreh kryeministri Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›