E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Duhet ndërhyrë menjëherë për të mbrojtur dinjitetin e Kuvendit

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS se duhet të ndërhyhet menjëherë për të parandaluar abuzimet me procedurat parlamentare dhe për të mbrojtur dinjitetin e Kuvendit, duke siguruar që opozita të mos përdorë forcën për të penguar punën e tij.

“Duhet të ritheksoj se në ndarjen e mandateve në Kuvend, diferenca është shumë e madhe në ndarjen e orëve të ndarjes në Kuvend, po të shikojmë nga orët, duket sikur jemi 51 me 49 në favor të deputetëve të opozitës”, u shpreh ai.

Rama theksoi se me këtë nuk thotë se duhet t’i ulen orët opozitës, por duhet të shikohet se si do të ndërpriten orët e marra me forcë, abuzim, në shkelje të plotë të etikës parlamentare, duke përdorur procedurën për të marrë peng jo Kuvendin, por publikun.

“Kjo duhet të mbarojë. Në asnjë parlament demokratik, në asnjë parlament të BE-së kjo gjë nuk i lejohet asnjë force politike. Prandaj, duke qenë se Rregullorja e Parlamentit nuk është e shkruar në gur, duke u bazuar te rregulloret dhe praktikat e BE-së duhet ndërhyrë menjëherë, në mënyrë që fjala “procedurë” mos të jetë e barabartë me konceptin “pengmarrje””, deklaroi Rama.

Kryeministri u shpreh se në asnjë parlament demokratik nuk tolerohet, jo ndërhyrja fizike, por as goditja në dinjititet e atyre që janë aty të pranishëm.

Sipas Ramës, kjo nuk duhet të tolerohet, pasi nuk është liri fjale, dhe në këtë pikë duhen marrë masat siç i ka Rregullorja.

“Legalizimi i rrugaçërisë në sallën e Kuvendit është bashkëveprim dhe bashkëfajësi në goditjen e të gjithë atyre të rejave e të rinjve e familjeve që ndjekin Kuvendin e Shqipërisë. Është një goditje në nivelin psikologjik, edukativ dhe mbi të gjitha është një goditje në aspektin social, sepse krijon vetëm nxitje të urrejtjes dhe krijon vetëm zgjerim të hendekut të pamerituar për shqiptarët që gërmon politika. Dhe kur them politika, nuk flas siç flasin të dërguarit me punë në Shqipëri të vendeve të tjera. Politika në përgjegjësi? Jo! Ajo pjesë e politikës që ne për fat të keq nuk e kemi dot përballë por e kemi gjithmonë prapa, duke u përpjekur me të gjitha metodat që të na pengojë të vazhdojmë ne përpara”, theksoi Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›