E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja: 11% turistë më shumë në mars, Shqipëria destinacion në rritje pavarësisht sfidave globale

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Shqipëria vijon të mbetet destinacion i preferuar turistik, konfirmuar kjo edhe nga shifrat gjithnjë në rritje të vizitorëve.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se, vendi ynë, gjatë muajit mars, mirëpriti 609.363 vizitorë të huaj, një rritje prej 59.598 turistësh krahasuar me marsin e vitit 2025, ose rreth 11% më shumë.

“Në një kohë sfidash globale, Shqipëria po spikat si një alternativë e sigurt dhe gjithnjë e më tërheqëse për turizmin gjithëvjetor. Nga natyra te trashëgimia kulturore, mikpritja, kulinaria dhe jeta artistike, oferta turistike shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e botës”, u shpreh ministri Gonxhja.

Jo vetëm marsi, por në të tre muajt e parë të vitit është regjistruar rritje e numrit të turistëve, të biletave për vizita në parqet kulturore e historike, zonat e mbrojtura dhe kalatë. Ndërkohë që synimi kryesor mbetet arritja e një turizmi gjithëvjetor, duke ofruar diversitet të lartë në turizmin natyror, kulturor, historik, aventurë, traditë, kulinari e më gjerë.

Kështu, shifrat konfirmojnë trendin edhe në Kalanë e Gjirokastrës, e cila, sipas DRTK, gjatë muajit mars 2026, është vizituar nga 14.253 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 57,56% krahasuar me marsin e vitit 2025.

Ky trend pozitiv tregon interesin gjithnjë në rritje për trashëgiminë kulturore dhe historinë e qytetit të Gjirokastrës.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›