E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e re drejt Ksamilit në përfundim, lehtësi për sezonin veror turistik

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Ksamili, ndër destinacionet më të kërkuara turistike në jug të vendit, ka njohur vitet e fundit flukse të larta vizitorësh që kanë nxitur edhe plotësimin e infrastrukturës së shërbimeve.

Një ndër investimet më të rëndësishme në këtë drejtim është edhe rruga e re, që përfshin trotuaret panoramike dhe korsitë e biçikletave, që shtrihen nga Ksamili deri te kryqëzimi për plazhin e Pulëbardhës.

Fotoreporteri i ATSH-së, Andrin Hoxha ishte në kantierin e këtij investimi duke sjellë galerinë e fotove që tregojnë punimet dhe përfundimin e disa pjesëve të rrugës që do të lehtësojë aksesimin e Ksamilit.

Investimi pritet të përfundojë para fillimit të sezonit turistik, duke garantuar lehtësim të trafikut dhe akses më të sigurt e më të organizuar për vizitorët dhe komunitetin lokal.

I cilësuar shpesh si “Maldivet e Europës” për shkak të plazheve me rërë të bardhë dhe ujit të kristaltë, Ksamili tërheq çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj.

Rritja e cilësisë së shërbimeve dhe investimet në infrastrukturë kombinuar me bukurinë natyrore, plazhet dhe pasuritë kulturore e bëjnë Ksamilin një potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe promovimin ndërkombëtar të turizmit.

I shtrirë midis qytetit të Sarandës dhe Parkut Kombëtar të Butrintit, një zonë me rëndësi historike dhe kulturore, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Ksamili mbetet ndër zgjedhjet kryesore veçanërisht për turistët e huaj, duke ofruar një paketë të plotë turistike që ndërthur natyrën, historinë dhe relaksin.

1 nga 15

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›