Gonxhja: Fluturim për herë të parë nga Rinasi drejt liqenit të Ohrit me hidroplan

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Ministri Turizmit, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, realizoi sot një fluturim simbolik me hidroplan nga Aeroporti i Rinasit drejt Liqenit të Ohrit.
Në këtë udhëtim që zgjati rreth 20 minuta, ministri Gonxhja shoqërohej nga Maksim Ethemaj, shefi i Aviacionit Civil.
“Ky fluturim simbolik kryhet me rastin e çeljes së sezonit veror në Pogradec, ku do kemi takime pune e inspektime mbi projekte që fuqizojnë turizmin, ndërlidhjen, promovimin e natyrës dhe trashëgimisë kulturore”, tha Gonxhja.
Ministrja Gonxhja u shpreh se “qytetet dhe zonat ku kemi det e liqene mund të jenë stacione edhe për udhëtime me mjete turistike e panoramike, linja e taksi ajrore për pasagjerë nga vendet fqinje, por dhe lëvizje brenda vendit, e jo vetëm”.
“Por mund të jenë dhe destinacione ku me pak investim e një infrastrukturë modeste mund të shërbehet, parkohen e operojnë hidroplanë tokë-ujë e mjete fluturuese private që i japin vlerë turizmit shqiptar dhe çdo transporti praktik”, theksoi Gonxhja.
Shefi i Aviacionit Civil, Maksim Ethemaj tha se “aviacioni mbështet turizmin, nëse ne shikojmë përtej Shqipërisë në shtetet si Kroacia, Mali i Zi, Italia e Jugut dhe Greqia kanë tipologjinë e turizmit. Në këtë kontekst të lidhësh destancione jashtë vendeve në funksion turizmit është ekzakt çfarë ju doni të bëni. Do të thotë të lidhësh Vlorën me Janinën, të lidhësh Vlorën me Korfuzin të lidhësh Pogradecin me Shkodrën, të lidhësh Shkodrën me Budvën janë ekzakt çfarë ky transport me hidroplan që ne po tregojmë sot e ofron”.
Ethemaj bëri të ditur se në fund të korrikut do të bëjmë udhëtimin Pogradec – Shkodër.
Ministri Gonxhja tha se “po me kryetarin e bashkisë Shkodër, Benet Becin besoj që do bëjmë një grup shumë operativ edhe do e bëjmë të mundur. Besoj që nuk do ketë asnjë shans që fluturimi me hidroplan të mos bëhet nëse kjo varet nga ne, do e bëjmë të mundur që ta realizojmë”.
/k.s/a.f/