E Martë, 3 Nëntor 2026

Gonxhja: Problematikat pas tërmetit i zgjidhim brenda vitit

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Partia Socialiste synon më shumë se 20 mandate deputetësh në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, kandidati për deputet i PS-së në listën e hapur në kryeqytet, në një intervistë në medie, bëri të ditur se fushata e tij është përqendruar te njësia nr. 6.

Familje të shumta të kësaj njësie, e njohur edhe si zona e Kombinatit, u përballën me pasojat shkatërrimtare të tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.

“Njësia 6, sipas të gjitha gjasave, ishte një nga më të vështirat, për shkak të problematikave që vinin nga disa çështje që lidheshin me rindërtimin, tërmetin, ngërçe ligjore, kallëzime, ekspertiza që nuk pranoheshin nga një pjesë e komuniteteve. Të gjitha këto bënë që të kishim një lloj vonese në disa prej zgjidhjeve. Por Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në botë që vendosi t’u japë shtëpi falas krejtësisht të reja ose ndërtime falas të shtëpive të ndërtuara ose përmirësim nga buxheti i shtetit për shtëpitë që mund të riparoheshin. Kjo gjë nuk ka ndodhur në asnjë vend, as në Bashkimin Europian, dhe kjo s’duhet të harrohet. Kodi Zgjedhor dhe fushata nuk lejon që të ndërmarrësh akte gjatë këtyre muajve, por janë vënë të gjitha në binarë dhe besoj që brenda këtij viti u jepet një zgjidhje përfundimtare atyre rasteve që kishin mbetur pa zgjidhje”, u shpreh Gonxhja.

Gonxhja thekson se kandidimit në zgjedhjet e 11 majit, është sfida më e bukur e jetës.

Këtë vit, fushatës së socialistëve në kryeqytet do t’i mungojë kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, i cili po përballet me drejtësinë.

Prandaj, tha Gonxhja, për shkak të kësaj situate, në Tiranë janë ingranuar disa nga kandidatët politikë më me eksperiencë, megjithëse PS-ja nuk ka dyshime për fitoren.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›