Rama: Me “bufin” në qeveri, nuk do të kishit marrë shtëpi të reja pas tërmetit

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me gratë dhe vajzat e qarkut të Durrësit.
Gjatë takimit Rama u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e grave, ndërsa vlerësoi edhe kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, njëherësh drejtuese politike e PS-së për këtë qark, për punët e bëra në këtë qytet.
Rama tha se kryebashkiakja e Durrësit ishte një kryetare që “e krijoi” tërmeti i vitit 2019 dhe shtoi se pasi mori detyrën pak nga pak, iu dhanë shtëpitë e reja banorëve që ishin prekur nga ky tërmet. Rama tha se ende ka disa gjëra për të sistemuar në lagjen e re Rilindja, e cila do të jetë një lagje rezidenciale shumë e bukur për Durrësin e ri.
“Ne jemi këtu për të ngritur më lart Shqipërinë. Edhe këtu më kujtohet kur e kemi nisur këtë rrugë PS e Durrësit dominohej nga burrat nga djemtë kishte shumë pak gra. Patjetër që kishte gra dhe vajza që votonin, por nuk ishin pjesë e organizimit, nuk ishin në hapësirën ku merreshin vendimet. Po komentonte dikush: “Ç’i ke këto, Shqipëria është grua, Tirana është grua. Po kur të shkosh në Durrës, çfarë do të thuash?!”. Ja po jua them unë tani: Durrësi është burrë, por ama drejtohet nga një grua. Drejtohet nga një grua, Anin, që unë e kam shumë shoqe, edhe që jam shumë krenar për të, shumë krenar për punën që bën, jam shumë krenar për urtësinë dhe për përkushtimin me të cilën e bën punën pa bërë zhurmë pa u ndjerë me shumë fjalë, por ama është kudo në çdo cep dhe sa herë që më vjen ndonjë mesazh dhe ia çoj, asnjëherë nuk kapet gafil, di çdo metër katror të kësaj bashkie të madhe. Di rrugët që kanë akoma probleme, pikat që kanë nevojë për ndërhyrje.
“Ani është një kryetare bashkie që “e krijoi” tërmeti, doli nga tërmeti. Tërmeti ishte një katastrofë e madhe – ju e keni përjetuar vetë edhe ankthin e tmerrshëm të vetëm një nate, plus edhe shqetësimin e jashtëzakonshëm për ato pamje dhe shumë familje që ngelën pa shtëpi – dhe Ani u gjend aty në bashki dhe mori detyrën, dhe me shumë qetësi, pak nga pak i bëmë gjërat, dhe pak nga pak filluam t’u hapim dyert e shtëpive të reja, apartamenteve të restauruara dhe faktikisht sot kemi ende disa për të sistemuar, por ama jemi shumë të lehtësuar sepse është krijuar një lagje e re, lagjja Rilindja, që është gati dhe jemi duke punuar me Anin që të jetë një lagje rezidenciale shumë e bukur për Durrësin e ri”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama ironizoi edhe opozitën, ku tha se nëse në qeveri do të kishte qenë “bufi” me “kënetën” banorët e prekur nga tërmeti nuk do të kishin marrë shtëpi të reja. Po ashtu shtoi Rama shtoi se jemi i vetmi vend në rajon që kemi ulur çmimin e energjisë.
“Dëgjoja një nga ata çyrykët që thoshte: ç’është kjo histori me këta socialistët, prap duan ta marrin mandatin këta?! Dhe prap do e marrin më duket! Krijon Edi Rama përralla, fituam luftën me tërmetin, fituam me COVID-in, me Rusinë thoshte ky. Por nëse nuk do të ishim ne në qeveri, por do të ishte “këneta” me “bufin” sot harrojeni se njerëzit do të kishin marrë shtëpi të reja, nëse nuk do të ishim ne në qeveri, do të ishte “këneta” me “bufin” që e lanë Shqipërinë pa asnjë, jo spital, po asnjë pavijon spitali që të meritonte të quhej i tillë, imagjinoni se çfarë do të bëhej me COVID-in. Dhe natyrisht ne nuk dolëm në luftë me Rusinë por ama çfarë ndodhi atje dhe çfarë ndodh atje për një periudhë kur u godit shumë rëndë gjithë sistemi i furnizimit me energji, ne bëmë atë që jo vetëm nuk e rritëm një qindarkë çmimin e energjisë, por e kapërcyem atë krizë dhe jemi i vetmi vend në Rajon, se në Europë nuk bëhet fjalë, që kemi ulur çmimin e energjisë me 10,5%”, tha Rama.
/r.e//a.f/