E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Shqiptarët takim me historinë në 11 maj, BE ka hapur derën

TIRANË, 21 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se zgjedhjet e 11 majit janë zgjedhjet më të rëndësishme në historinë pluraliste të vendit, pasi shqiptarët do të bëjnë një takim me historinë.

Gjatë takimit me vajzat dhe gratë, në Durrës, Rama tha se historia e donte që të ishte PS në këtë moment në drejtimin e vendit.

“Sot dua të përqendrohem te diçka më e madhe se Durrësi, për faktin se nëse ne e kuptojmë si duhet edhe këto problematikat e tjera zgjidhen më lehtë. Kjo diçka e madhe është 11 maji. Kemi qenë së bashku në shumë zgjedhje. Këto janë zgjedhjet e radhës, por në një kuptim, nuk janë vetëm zgjedhjet e radhës, sepse nuk do të jetë si zakonisht që shkojnë njerëzit dhe votojnë midis partive”, u shpreh Rama.

Në këto zgjedhje, vijoi ai, shqiptarët do të bëjnë një takim me historinë.

“Sepse fati e ka dashur që ne të gjendemi në vendin e duhur dhe kohën e duhur në raport me historinë, me fatin europian të shqiptarëve, për vetësinë e Gjergj Kastriotit, kur u bë mburojë e Europës na përcaktoi ne, nipërve e stërnipërve të tij, drejtimin dhe pastaj me radhë, të gjithë të tjerët atë drejtim e kthyen në amanet”, vijoi Rama.

Dhe sot, shtoi ai, ne kemi mundësinë ta përmbushim amanetin.

“Për arsyen se befasisht është përputhur fati ynë europian me dëshirën dhe vullnetin e tyre. Ata gjithmonë na kanë thënë se: perspektiva juaj është në BE. Aq shumë na e kanë thënë, sa u bë si ai horizonti i kuq i komunizmit kur na thoshin: një ditë do të hani me lugë floriri”, deklaroi Rama.

BE, vuri në dukje Rama, nuk e mban derën hapur në çdo moment, dhe nuk e hap derën thjeshtë se ne kemi dëshirë të hyjmë.

“BE e hap derën kur ti je gati, dhe kur ata që janë brenda, 27 shtete, janë gati të të fusin në atë shtëpi. Ndaj, ka ndodhur për vite me radhë që Komisioni Europian u thoshte vendeve anëtare që Shqipëria duhet të hapë negociatat. Vendet anëtare mblidheshin dhe dikush nxirrte një pretendim. Në fakt nuk e kishin me ne, por e kishin mendjen diku tjetër”, tha Rama.

Ai iu përgjigj edhe skeptikëve për zgjatjen e procesit të hapjes së negociatave.

“Sipas tyre kërkesa për një mandat të katërt për të integruar vendin në BE është diçka e turpshme, pasi përderisa ne nuk e bëmë për tre mandate, pse duhet të kërkojnë të katërtin. Si shpjegohet që Mali i Zi i ka hapur negociatat në 2012-ën dhe nuk është futur në BE, Serbia i ka hapur në 2014-ën dhe nuk është futur në BE, Maqedonia e Veriut ndryshoi edhe emrin dhe sërish nuk është futur në BE? Ndërkohë, ne kemi hapur negociata vetëm një vit më parë dhe na kanë vënë një plan para, ku bien dakord që negociatat të mbyllen deri në 2027-ën”, u përgjigj Rama.

BE, tha Rama, nuk e hap derën kur ti je gati, e hap kur ata që janë brenda janë gati të hapin derën.

“Unë thosha nuk po na refuzojnë se ne nuk kemi bërë detyrat, por sepse nuk e kanë mendjen te ne. Dhe ja ku u gjendëm sot bashkë me Malin e Zi. Ne ishim një vend që në 2013 apo 2014 na shikonin me bezdi. Sot është hapur dera. Kjo derë e hapur duhet shfrytëzuar, sepse mund të mbyllet dhe mund të mbetemi jashtë derës për kushedi sa vite”, deklaroi Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›