Gonzato: Anëtarësimi, objektiv kombëtar dhe gëzon mbështetjen e të gjithë spektrit politik

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, foli gjatë takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE, duke theksuar se takimi i sivjetshëm zhvillohet në një moment vendimtar të rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gonzato tha se qeveria shqiptare ka vendosur një axhendë tejet ambicioze për integrimin europian të vendit.
“Pas zgjedhjeve të majit, Shqipëria ka një parlament të ri dhe një qeveri të re që ka vendosur një axhendë shumë ambicioze drejt BE-së. Anëtarësimi mbetet një objektiv kombëtar i përbashkët dhe gëzon mbështetjen e të gjithë spektrit politik,” tha Gonzato.
Ai nënvizoi se aspirata për integrimin europian është e mbështetur nga mbi 90% e shqiptarëve dhe përmbushja e saj kërkon kontributin konstruktiv të të gjitha forcave politike.
Gonzato shtoi se mbyllja e kapitujve është një sfidë më e madhe se hapja e tyre dhe se aktualisht fokusi është tek përmbushja e piketave të përkohshme të vendosura nga shtetet anëtare si provë e vendosmërisë për reformat e nevojshme.
“Shqipëria ka hapur 5 nga 6 grup-kapitujt negociues dhe puna po vazhdon për të hapur grupimin e fundit mbi bujqësinë përpara fundit të këtij viti. Ky është një sukses i qartë për Shqipërinë, por është vetëm fillimi, sepse në fakt është fundi i fillimit. Mbyllja e kapitujve është një ushtrim shumë më i vështirë sesa hapja e tyre. Aktualisht vëmendja është përqendruar tek përmbushja e piketave të përkohshme, me objektivat e ndërmjetme që shtetet anëtare i kanë përcaktuar Shqipërisë si prova e vendosmërisë së saj për reformat e nevojshme”, theksoi Gonzato.
/rtsh.al/