Gonzato-Jaupaj: Mbrojtja e natyrës dhe menaxhimi i mbetjeve, sfida kyçe drejt anëtarësimit në BE

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato zhvilloi një takim me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj.
Gonzato theksoi në një postim në rrjetet sociale se mbrojtja e natyrës, menaxhimi i mbetjeve, përmirësimi i cilësisë së ujit dhe ajrit si dhe lufta kundër krimeve mjedisore janë sfida kyçe në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
Sipas tij, përballimi i këtyre sfidave do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë.
“Shqipëria duhet të linjëzohet me legjislacionin e BE-së për të përmbushur kriteret përmbyllëse për Kapitullin 27 (Mjedisi dhe ndryshimet klimatike)”, tha Gonzato.
Ambasadori Gonzato siguroi ministrin Jaupaj se BE-ja do të vazhdojë të punojë ngushtësisht me autoritetet shqiptare për t’i mbështetur në zbatimin e këtyre përparësive.
Ky është takimi i parë i ministrit të Mjedisit, Sofjan Japuaj me kreun e delegacionit të BE-së në Tiranë pas marrjes së detyrës në kabinetin qeveritar.
1 nga 3/k.s/j.p/