E Hënë, 2 Nëntor 2026

IKMT prish objektet pa leje në trasenë e projektit “Unaza Spitallë – Currila” në Durrës

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje, të cilat pengojnë zbatimin e projektit rrugor me interes publik “Unaza Spitallë – Currila”, në territorin e Bashkisë Durrës.

Ky aksion është pjesë e angazhimit të institucioneve për të garantuar zbatimin e projekteve infrastrukturore strategjike dhe për të çliruar hapësirat publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

Sipas njoftimit nga IKMT, ndërhyrjet do të vijojnë në ditët në vijim në të gjithë segmentin e parashikuar nga projekti, me qëllim përfundimin e plotë të pastrimit të trasesë dhe krijimin e kushteve për vijimin e punimeve.

Projekti “Unaza Spitallë – Currila” është një investim i rëndësishëm për qytetin e Durrësit, i cili pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun urban, të përmirësojë lidhjen ndërmjet zonave periferike dhe atyre qendrore, si dhe të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.

IKMT ka apeluar për bashkëpunim nga banorët dhe subjektet që preken nga ndërhyrja, duke theksuar se zbatimi i ligjit dhe interesit publik mbeten prioritetet kryesore të institucionit. /e.xh/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›