Grabitja në Luvër – Muzeu i famshëm rihap dyert për vizitorët

Muzeu i Luvrit në Paris hapi sërish të mërkurën dyert për vizitorët, pas grabitjes së të dielës që tronditi vendin. Forcat e zbatimit të ligjit janë ende në kërkim të katër autorëve të ngjarjes të cilët grabitën mëngjesin e së dielës tetë bizhuteri të paçmueshme nga galeria Apolon e muzeut .
Prokurori i Parisit u shpreh në një intervistë se bizhuteritë e vjedhura kanë një vlerë prej 88 milionë eurosh. Grabitja cilësoi si një goditje e fortë ndaj krenarisë së Francës. Ministri i Brendshëm i vendit u shpreh se incidenti kishte dëmtuar imazhin e Francës në skenën botërore.
Ngjarja ndodhi pas orës 9:30 të mëngjesit të së dielës, ku katër autorët, duke përdorur një shkallë zgjatuese nga e cila arritën në një nga dritaret e galerisë Apollon, prenë xhamin e kësaj të fundit dhe hynë në galeri ku ruhen edhe bizhuteritë e kurorës franceze.
Hajdutët e maskuar vodhën nëntë bizhuteri të shekullit të 19-të. Një prej tyre, kurora e perandoreshës Eugjeni iu ra ndërsa po arratiseshin. Në listën e objekteve të vjedhura është edhe një gjerdan me smeralde dhe diamante që Napoleoni i pati dhuruar bashkëshortes së tij Marie Louise.
Në listën e objekteve të vjedhur është edhe një diademë që i përkiste po perandoreshës Eugjenie, që përmban rreth 2 mijë diamante si dhe një gjerdan i Maria-Amelie, mbretëreshës së fundit të Francës që ka tetë safirë dhe 631 diamant.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/