E Hënë, 2 Nëntor 2026

Marrin titujt e pronësisë pas 10 vitesh- Zgjidhet problemi për mbi 40 familje në një pallat në Lezhë

Dhjetë vite më parë, një firmë ndërtuese në Lezhë falimentoi duke lënë pas një objekt të papërfunduar në rrugën Shtraus.

Banorët që kishin blerë apartamentet, përfunduan vetë ndërtimin e pallatit ku jetonin, por për 1 dekadë nuk arritën të merrnin certifikatën e  pronësisë.

Pas një procesi të gjatë ligjor dhe administrativ, ku palë me banorët u bë edhe Bashkia e Lezhës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Lezhë ka përmbyllur me sukses procedurat e legalizimit.

“Pallati ka qenë i pari që ka aplikuar dhe në momentin që mua më kanë thënë se dokumentet janë të plota ne verifikuam që pallati nuk kishte aplikuar. Na është dashur që të ndërhymë ne për efekt të banorëve sepse ishte një histori e cila duhej zgjidhur”, u shpreh Pjerin Ndreu, Kryetar i Bashkisë, Lezhë.

“Falënderoj kryetarin e bashkisë për bashkëpunimin maksimal dhe korrekt që kemi pasur”, tha Altin Gjergji, Drejtor i ASHK Lezhë.

Në qytetin e Lezhës janë edhe dy pallate të tjerë me të njëjtën problematikë. Për të përshpejtuar procesin e legalizimeve, me vendim të qeverisë bashkitë  kanë të drejtën të evidentojnë në terren objektet pa leje, në proces legalizimi, dhe më tej, ky organ shërben si urë lidhëse mes qytetarëve dhe Kadastrës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›