Merrte me qira ditore banesa për të ushtruar prostitucionin, arrestohen dy shtetas nga Brazili

Një rast i shfrytëzimit të prostitucionit është zbuluar në Tiranë, ndërsa në pranga përfunduan dy shtetas nga Brazili.
Gjatë operacionit të koduar “Daily rent”, policia thotë se tutori brazilian 25 vjeç, merrte banesa me qira ditore dhe më pas shfrytëzonte për prostitucion një 24-vjeçare po nga Brazili.
Në pranga përfunduan dy shtetasit brazilian A. M., 25 vjeç, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe G. C., 24 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”. Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit R. P., 22 vjeç, dhe E. K., 20 vjeç.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. M. shfrytëzonte për prostitucion, shtetasen G. C., e cila e ushtronte këtë aktivitet në ambiente që shtetasi A. M. i merrte me qira ditore.
Gjatë ndërhyrjes në një banesë që e kishte marrë me qira ditore, shtetasi A. M., në bulevardin “Zogu i Parë”, për ushtrimin e kësaj veprimtarie, u konstatuan 24-vjeçarja dhe shtetasit R. P. dhe E. K.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë aksionit u sekuestruan një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga prostitucioni.
Hetuesit vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/